Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka çelur ekspozitën “Gjon Mili: Retrospektivë”, një ngjarje e veçantë kulturore që sjell për herë të parë në Shqipëri një koleksion origjinal të veprave të fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX.

E kuruar nga Howard Greenberg, ekspozita paraqet fotografi dhe materiale arkivore të ardhura nga arkivi i Howard Greenberg Gallery, duke ofruar një udhëtim të plotë në krijimtarinë e Milit dhe kontributin e tij në transformimin e fotografisë moderne.

Vizitorët kanë mundësinë të njihen me eksperimentet e tij revolucionare me dritën stroboskopike, ekspozimet e shumëfishta dhe teknikat që ndryshuan mënyrën e perceptimit të lëvizjes në fotografi. Mes veprave më të njohura të ekspozuara janë edhe imazhet ikonike si “Picasso Drawing with Light”, si dhe portrete të personaliteteve të shquara të muzikës jazz, kinemasë dhe kulturës amerikane.

Përmes kësaj retrospektive, publiku zbulon mënyrën unike me të cilën Gjon Mili e shndërroi fotografinë nga një mjet dokumentimi në një formë eksperimentimi artistik me kohën, dritën dhe lëvizjen. Veprat e tij dëshmojnë se fotografia nuk është vetëm një moment i ngrirë, por një hapësirë ku koha mund të bëhet e dukshme.

Ekspozita përfaqëson gjithashtu një moment të rëndësishëm rikthimi kulturor, duke risjellë në vëmendjen e publikut shqiptar figurën dhe trashëgiminë artistike të Gjon Milit, një emër që la gjurmë të pashlyeshme në historinë botërore të fotografisë.

“Gjon Mili: Retrospektivë” u realizua në bashkëpunim me Howard Greenberg Gallery dhe u prezantua në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

I lindur në Korçë në vitin 1904, Mili emigroi drejt Shteteve të Bashkuara më 1923. Formimi i tij nuk nisi në akademitë e artit, por në fushën e inxhinierisë elektrike: në vitin 1927 ai u diplomua pranë Massachusetts Institute of Technology, ndaj çasja shkencore do të ndikonte thellësisht në mënyrën sesi ai e konceptonte fotografinë. Më pas punoi në fushën kërkimore të inxhinierisë së ndriçimit pranë Westinghouse Electric Company, ku realizoi hulumtime të avancuara mbi optikën, projeksionin e dritës dhe fotografinë teknike.

Për publikun shqiptar, kjo ekspozitë ka edhe një dimension të rëndësishëm historik e identitar. Edhe pse Mili ndërtoi karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe u bë pjesë e historisë së fotografisë amerikane, origjina e tij mbetet thelbësore në narrativën e tij personale. Kthimi simbolik i këtyre veprave në Shqipëri përbën një akt rikthimi kulturor dhe një rivendosje të Milit në memorien artistike shqiptare.