Banda frymore “The Door” ka dhuruar një koncert të veçantë në shkollën publike “Dëshmorët e Prishtinës” në Shkodër, së bashku me muzikantë të ardhur nga Norvegjia. Formacioni i përbërë nga persona me aftësi të kufizuara konsiderohet si e vetmja e këtij lloji në Ballkan. Përmes muzikës, ajo promovon përfshirjen sociale dhe barazinë e mundësive.

Menaxheri Kastriot Faci dhe dirigjenti i bandës tregojnë mbi rëndësinë e këtij aktiviteti, punën e vazhdueshme me anëtarët e bandës dhe bashkëpunimin me partnerët norvegjezë.

I pranishëm ishte edhe Falk Bakke nga Norvegjia, ideatori i krijimit të Bandës “The Door” dhe “Qytetar Nderi i Qarkut të Shkodrës.

“Jemi këtu për të bashkëpunuar, për të shkëmbyer përvoja, për të diskutuar eksperiencat tona dhe për të krijuar kontakte me njerëzit që drejtojnë këtë orkestër, së bashku me tonën. Në këtë mënyrë mund të mbajmë kontakte me njëri-tjetrin, dhe kjo është e rëndësishme jo vetëm për ne, por edhe për pjesën tjetër të bordit tonë”, shprehet ideatori Falk Bakke.

Koncerti u mirëprit nga nxënësit dhe publiku, duke përcjellë mesazhe miqësie, bashkëpunimi dhe përfshirjeje përmes muzikës.