Vllaznia dhe sezoni që sapo u mbyll vazhdojnë të jenë në qendër të diskutimeve në opinionin sportiv shkodran. Një nga zërat që ka komentuar ecurinë e kuqebluve është edhe ish-mesfushori i spikatur i Vllaznisë, Gilman Lika, i cili këto ditë ndodhet në Shqipëri për pushime.

Lika, i cili aktualisht ushtron aktivitetin e tij si trajner i moshave në Abu Dhabi, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, pranon se rikthimi në Shkodër ka gjithmonë një ndjesi të veçantë për të.

Duke analizuar sezonin e fundit të Vllaznisë, ish-kapiteni kuqeblu thekson se pritshmëritë kanë qenë shumë më të mëdha dhe se mosfitimi i titullit kampion e bën bilancin përfundimtar zhgënjyes.

Lika foli edhe për planet e tij në karrierën si trajner. Ai u shpreh se dëshira e tij është që në të ardhmen të drejtojë një ekip të rriturish dhe se një mundësi e tillë do ta bënte të rikthehej në Shqipëri nga Abu Dhabi.

Ndërsa shijon disa ditë pushimi në qytetin e tij, Gilman Lika mbetet i lidhur ngushtë me futbollin dhe me Vllazninë, skuadër me të cilën ka shkruar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij sportive. Vllaznia e mbylli sezonin në vendin e tretë dhe siguroi pjesëmarrjen në Conference League, por pa arritur objektivin kryesor, rikthimin e titullit kampion në Shkodër.