Grupi i njohur muzikor “Shkodra Elektronike” ka reaguar publikisht në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e Zvërnecit, duke iu bashkuar zërave të shumtë qytetarë, artistë dhe aktivistë që kundërshtojnë projektet e parashikuara në këtë zonë të mbrojtur natyrore.

Përmes një mesazhi të shkurtër, por me ngarkesë të fortë simbolike, artistët që përfaqësuan Shqipërinë në Eurovision vitin e kaluar kanë shprehur solidaritetin e tyre me protestuesit dhe mbështetjen për ruajtjen e kësaj pasurie të rrallë natyrore.

“Nji SHOK na thotë që këtë mrekulli s’e ka pa kurrë! E po niset njitesh! EDHE NA PO ÇOHENA!”, shkruan “Shkodra Elektronike” në reagimin e publikuar në rrjetet sociale.

Qëndrimi i grupit vjen në një kohë kur debati për të ardhmen e Zvërnecit është kthyer në një nga çështjet më të diskutuara në vend. Mbështetja e artistëve të njohur i jep edhe më shumë jehonë kauzës, duke treguar se shqetësimi për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore po fiton përmasa gjithnjë e më të gjera.

Me këtë reagim, “Shkodra Elektronike” rreshtohet krah qytetarëve dhe figurave publike që kërkojnë ruajtjen e identitetit natyror të Zvërnecit dhe mbrojtjen e tij nga çdo ndërhyrje që mund të dëmtojë ekosistemin e zonës.