Nga Suad Arilla

Kush janë “Gomerët e Trojeve”?

Shumë shekuj më parë Euripi thoshte se “teatri është pasqyra e jetës njerëzore”. Kjo është një nga postulatet e patundura të artit, specifikisht teatrit.

Ndaj edhe sot, ne vazhdojmë të shkojmë në teatër, sepse aty vihemi në rolin e spektatorit të jetës sonë; shohim çfarë na ndodh ne përditë dhe që s’mund ta ngremë zërin, çfarë padrejtësish na godasin dhe si e përjetojmë, si bëhemi egoistë apo meskinë duke fshehur apo harruar të shkuarën, se si pasurohemi duke mos pyetur se kë shfrytëzojmë, duke u tjetërsuar pa marrë parasysh ndëshkimin e ndryshimit. Ne vazhdojmë të shkojmë në teatër, se aty shohim një version të mundshëm të vetes, ende pa e marrë atë përsipër. Kështu që edhe e qeshim. Edhe e qajmë.

Ndërsa dramaturgu dhe poeti gjerman, një nga reformatorët e tatrit, Bertolt Brecht, sqaron se “arti nuk është një pasqyrë që reflekton realitetin, por një çekiç për ta formësuar atë.” Spektatori në këtë rast, jo vetëm sheh veten, një përngjasim të mundshëm të realitetit, por gjen edhe mundësitë se si të bëhet apo të mos bëhët. Duke e mbrojtur ose anulluar menjëherë atë që ka parë, si një profeci e së ardhmes.

“Gomerët e Trojeve” vënë në teatrin “Migjeni” futet tek kategoria e parë, sipas meje.

Gjatë gjithë kohës, pyesja veten “kush janë gomerët e Trojeve”? Bazuar në kontekstin e “Iliadës” se Homerit mbi Luftën e Trojës, me një “shqipërim” të personazheve dhe gjendjeve, aty kemi disa nivele konfliktesh. Së pari, një konflikt social: gjendja e përhershme e “luftës”, nevoja e pashmangshme thuajse “natyrore” për të evoluar për “trojet”. E dyta, babëzia apo lakmia njerëzore për të pushtuar. E treta, një gjendje e tensionuar e pushtetit apo pushtetarëve dhe prapaskenat për ta mbajtur. Në të tri nivelet ti arrin të kuptosh se nga çasti në çast mund të jesh pjesë e tyre, si spektator apo edhe si njeri-publik prej së jashtmi.

Gjithnjë e më në rritje mund të ndjesh një tension që merr përpara zhvillimin e ngjarjeve – së pari të ndikuar nga rrjedha e vërtetë e ngjarjeve në këngët e Homerit – të cilat udhëheqin ngjarjet e shfaqjes: kupton se kjo nuk është “Iliada”, por historia ime, jotja, apo, shumë thellë, e këtij vendi. Një luftë pushtetesh për pushtet ekonomik, social, apo zaptim apo luftë për zaptime të tjera e të tjera të Trojes, apo trojeve. Deri në atë pikë sa, siç e dimë të gjithë, jemi të gatshëm të përdorim një “kalë troje”.

A e njohim dhe e kuptojmë aq mirë të shkuarën tonë sa të mund të ndërtojmë të ardhmen?

Shfaqja fillon shumë ngadalë, duke të të dhënë skena të ndryshme me aktorë që bëjnë disa role, si këndvështrime të ndryshme mbi të njëjtën të vërtetë, derisa ti kupton se lidhja nuk është ndoshta pikërisht gjendja teatrale, por gjendja e vërtetë “Trojane” që jetojmë përditë. Regjizori dhe autori i shfaqjes Gent Bejko, ka bërë edhe një zhvillim shumë fin duke përdorur edhe ndryshimet në gjuhë apo dialekte, jo si koncept i ndryshimeve, por si justifikim i “gomerëve” mbi konfliktet. Loja e mrekullueshme disafishe e aktorëve kalon nga grotesktu tek satira, duke identifikuar secilin personazh me karateristika dhe veçoritë specifike.

Regjia është zhvilluar me shumë inteligjencë dhe finesë. Shumë herë mund të qeshësh dhe ke pse të qeshësh dhe shumë herë mund të qash dhe ke pse të qash. Një komedi e zezë që tregon nga perspektiva e një kaluare ndoshta kurrë të vërtetë, të vërtetën e madhe që po kalojëm sot ne si njerëz apo si komb. E gjithë Shqipëria.

Premiera e shfaqjes ishte me datë 26 maj, duke u përsëritur me datë 27. Sonte ishte nata e tretë. Faqja e teatrit “Migjeni” na njofton se data 4 është e shfaqja e fundit.