Shkodra do të jetë sërish mikpritëse e tenorit me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj. Më 20 qershor, në orën 20:00, sheshi i Shirokës do të shndërrohet në një skenë të hapur ku do të mbahet koncerti “Ramë Lahaj & Friends në Shkodër”.
Në këtë mbrëmje artistike, Lahaj do të ngjitet në skenë së bashku me sopranon Nino Machaidze dhe basin Dario Russo, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Shkodrës nën dirigjimin e Elda Laros. Organizatorët e konsiderojnë koncertin si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të këtij sezoni, duke sjellë në qytet artistë me reputacion ndërkombëtar.
Kjo nuk është hera e parë që Ramë Lahaj performon në Shirokë. Në qershor të vitit 2024, ai dhuroi një koncert që mbetet ende i freskët në kujtesën e publikut shkodran, së bashku me emra të njohur si Alessandro Safina, Elda Laro dhe Adhurim Grezda. Ajo mbrëmje mblodhi qindra artdashës dhe u vlerësua si një prej aktiviteteve kulturore më të suksesshme të verës.
Me rikthimin e tij në Shkodër, pritshmëritë janë të mëdha për një tjetër natë emocionesh, ku muzika operistike do të takohet me peizazhin unik të liqenit dhe mikpritjen shkodrane.

