Një nga veprat më të njohura teatrore, “Këshilli i Ndrikullave”, do të rikthehet në skenë në një version bashkëkohor në zhanrin komedi. Regjisori dhe përshtatësi Sander Ruçi ka bërë të ditur se tashmë është përzgjedhur trupa artistike që do të realizojë këtë projekt, ndërsa provat pritet të nisin në muajin shtator.
Sipas Ruçit, premiera do të ngjitet në skenën e Teatrit “Migjeni” në shkurt të vitit 2027, plot 51 vite pas variantit të parë të vitit 1976. Ai e cilëson këtë rikthim si një ngjarje të rëndësishme artistike për Shkodrën, duke falënderuar Bashkinë Shkodër, Teatrin “Migjeni” dhe të gjithë mbështetësit e nismës.
Regjisori shprehet se ky projekt përfaqëson një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij artistike dhe synon të sjellë sërish para publikut një nga veprat më të dashura të skenës shkodrane, të përshtatur me frymën e kohës.
