Pak orë përpara nisjes së edicionit të 64-t të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Teatrin “Migjeni”, organizatorët kanë ndarë detaje mbi tre netët e aktivitetit që rikthen edhe këtë vit atmosferën festive në qytet. 

Përgjegjësit e festivalit u shprehën se ky edicion do të sjellë krijime të reja muzikore dhe interpretime të drejtpërdrejta nga fëmijë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit. 15 këngë në natën e parë dhe 16 në natën e dytë do të pasurojnë fondin e muzikës për fëmijë, ndërsa për të dytin vit radhazi nga ky festival do të përzgjidhet edhe përfaqësuesi i Shqipërisë në “Junior Eurovision Song Contest”. 

Festivali do të mbahet në datat 30, 31 maj dhe 1 qershor dhe do të transmetohet për publikun në rrjetin e RTSH.