Në sezonin 2026-2027, KF Shkodra do të përfaqësohet në Kategorinë Superiore me të gjitha grupmoshat, duke vulosur një nga sukseset më të mëdha në historinë e klubit. Ky moment i rëndësishëm u festua në fushën sportive në Shtoj, menjëherë pas ndeshjes së kampionatit U-17 mes KF Shkodra dhe Egnatia, e mbyllur në barazim 2-2.

Në një atmosferë festive dhe mjaft emocionuese u zhvillua ceremonia e shpalljes kampion për ekipet U-16 dhe U-17 të klubit shkodran. Futbollistët e rinj ngritën trofetë e “Kampionit të Shqipërisë”, ndërsa prindër, tifozë, sportdashës dhe miq të klubit festuan së bashku këtë arritje të jashtëzakonshme.

Dy tituj kampionë në të njëjtin sezon konfirmojnë punën e bërë me akademinë dhe talentet e reja, duke e kthyer KF Shkodra në një nga projektet më premtuese të futbollit shqiptar për moshat. Ky sukses konsiderohet si një moment historik për klubin, që tashmë synon të konsolidohet edhe më shumë në elitën e futbollit të grupmoshave.