Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime Sh.A Shkodër po vijon intensivisht punimet për shtrimin e asfaltit në akset dytësore pranë rrugës nacionale Shkodër–Hani i Hotit, pas përfundimit të ndërhyrjeve për vendosjen e linjës së re të furnizimit me ujë.
Sipas inxhinierit të firmës zbatuese, Erisem Qehaja, puna po zhvillohet në të gjitha segmentet ku është ndërhyrë për rrjetin e ri të ujësjellësit, me qëllim rikthimin e plotë të infrastrukturës rrugore në normalitet.
Ndërkohë, punimet për asfaltimin e rrugëve të dëmtuara po kryhen edhe në zonat pranë Dobraçit. Inxhinieri Sulejman Zanaj thekson se procesi po ecën sipas grafikut dhe synon të përmbyllet në të gjitha zonat ku është hapur traseja e linjës së ujësjellësit.
Linja e re e furnizimit me ujë pritet të sjellë përmirësim të ndjeshëm në cilësinë dhe furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e zonave të përfshira në projekt. Investimi do të konsiderohet i përfunduar vetëm pas asfaltimit të plotë të të gjitha rrugëve ku janë kryer punimet nga ujësjellësi i Shkodrës.
