“Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe” konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme të albanologjisë shqiptare. Sipas Akademisë së Shkencave, ai plotëson amanetin e gjuhëtarëve shqiptarë ndër breza dhe dëshmon pasurinë e madhe të gjuhës shqipe.

Në promovimin e zhvilluar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, theksoi se dialektet nuk janë në konkurencë me njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë si pjesë e së njëjtës pasuri kombëtare.

Rektori i Universitetit të Shkodrës, Tonin Gjuraj, e cilësoi traditën leksikografike shqiptare si një trashëgimi të vyer. Ai vlerësoi edhe kontributin e pedagogeve Mimoza Priku dhe Rrezarta Draçini, pjesë e grupit të hartimit të fjalorit.

Në hartimin e fjalorit janë angazhuar mbi 50 specialistë nga Shqipëria dhe Kosova, ndërsa vepra përmban rreth 120 mijë fjalë. Platforma online e fjalorit po njeh interes të lartë dhe pritet të arrijë së shpejti 13 milionë klikime.