Klubi i futbollit Vllaznia ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas aludimeve të fundit të publikuara në media dhe rrjete sociale lidhur me integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit.

Përmes presidentit Alban Xhaferi, drejtuesit e klubit theksojnë se Vllaznia “nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cenon ndershmërinë e garës”, duke hedhur poshtë çdo dyshim të ngritur.

Reagimi zyrtar i KF Vllaznia

🔴🔵 DEKLARATË ZYRTARE

Gjatë ditëve të fundit janë përhapur në disa media dhe rrjete sociale aludime dhe komente lidhur me integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit.

KF Vllaznia, përmes Presidentit Alban Xhaferi, ndjen detyrimin të sqarojë publikisht dhe me përgjegjësi:

👉 Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cënon ndershmërinë e garës.

Ky klub përfaqëson një qytet me histori, traditë dhe dinjitet, dhe çdo arritje e jona ka ardhur dhe do të vijë vetëm përmes punës, përkushtimit dhe meritës në fushën e lojës.

Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e opinionit publik në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit, si dhe pritshmëritë e larta, por njëkohësisht besojmë se hedhja e dyshimeve pa prova dëmton jo vetëm klubet, por gjithë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve.

👉 Ftojmë të gjithë aktorët – mediat, opinionin sportiv dhe institucionet – të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në komunikim.

👉 Çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe të trajtohet në rrugët zyrtare.

Vllaznia do të vazhdojë rrugën e saj me seriozitet, duke folur në fushë dhe duke respektuar lojën e ndershme.