Shoqata e Miqësisë Shqipëri–Vendet Arabe, me 34 vite aktivitet, organizoi këtë të shtunë një konferencë shtypi në Shkodër me fokus çështjen palestineze. Në aktivitet u theksua se situata në Gaza mbetet një nga plagët më të ndjeshme ndërkombëtare.

Kryetari i shoqatës, Muammar Vuci, u shpreh se për 78 vite kjo çështje nuk ka gjetur zgjidhje, ndërsa e cilësoi Gazën si një nga krizat më të rënda humanitare të kohëve moderne. Sipas tij, organizimi i kësaj konference përfaqëson një shenjë solidariteti me popullsinë që po përballet me pasojat e konfliktit.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe anëtari i shoqatës, Sami Husi, i cili theksoi nevojën për më shumë vëmendje dhe reagim ndaj zhvillimeve jo vetëm në këtë territor por edhe për situatën e heronjve të luftës në Kosovë. 

Aktiviteti u shoqërua edhe me një ekspozitë tematike, duke synuar ndërgjegjësimin e publikut mbi realitetin në Gaza.