Një reflektim i publikuar në rrjetet sociale nga studiuesi Ardian Ndreca ka rikthyer në vëmendje debatin mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në art dhe veçanërisht në muzikë. Duke sjellë në kontrast këngët e vjetra të kompozitorëve si Pjetër Gaci apo Zef Çoba, që vijojnë të këndohen edhe sot, me prurjet e reja të krijuara nga AI, Ndreca thekson se produktet moderne shpesh krijojnë një ndjesi të përkohshme dhe të paqëndrueshme emocionale.

Sipas tij, këngët e gjeneruara nga inteligjenca artificiale pasqyrojnë kohën tonë, por mungesa e spontanitetit dhe e lidhjes shpirtërore me krijuesin i bën ato më pak jetëgjata në kujtesën kolektive. Ai ngre pyetjen pse këto këngë nuk arrijnë të bëhen pjesë e festave apo dasmave, siç ndodh me repertorin tradicional.

Në analizën e tij, Ndreca i referohet edhe konceptit të “aurës” të filozofit Walter Benjamin, duke nënvizuar se arti i krijuar nga algoritmet rrezikon të humbasë elementin unik dhe të shenjtë që e lidh veprën me vendin dhe shpirtin e saj. Referencat letrare, si figura e Homunculusit tek “Fausti”, përdoren për të ilustruar dallimin mes një krijese artificiale dhe një krijimi të gjallë artistik.

Megjithatë, ai pranon se inteligjenca artificiale mbetet një mjet i fuqishëm në shumë fusha, por shpreh dyshime për aftësinë e saj për të orientuar njeriun drejt artit të vërtetë dhe autenticitetit krijues.

Ky reflektim vjen në një kohë kur përdorimi i AI në muzikë dhe letërsi po zgjerohet me ritme të shpejta, duke hapur diskutime të reja mbi të ardhmen e artit dhe rolin e njeriut në krijimtari.

Statusi i plotë

Nji kangë e para pesë dekadave e Pjetër Gacit apo Zef Çobës vijon me u këndue ende, kangë tjera që e kanë kalue shekullin vijojnë me u këndue në dasma qytetare apo në festivale.
Sot ka dalë trendi i kangëve me AI ku vistra rimash që ngjallin nji sentimentalizëm tym-e-avull bashkë, plus melodi që shkrihen si sahati i Salvador Dalì-së i pëlqejnë nji lloj veshit, atij të cilit gjanat komplekse i shkaktojnë otit.
Asgja e keqe, tue qenë se janë produkte kulturore që pasqyrojnë kohën tonë. Lind pyetja pse nuk këndohet, as në festa, as në darsma. Duket sikur koha jonë refuzon me u marrë seriozisht me vetveten!
Ndoshta formalina e AI i pengon me u riprodhue në mënyrë spontane.
I mungon “aura” do të kishte thanë Walter Benjamin, të qenit diçka unike, e shenjtë, e lidhun me nji përshpirtni e me nji “genius loci”.
Goethe tek Fausti paraqet nji krijesë në epruvetë që quhet Homunculus, të cilit i mungon trupi, i mungon harta biologjike, përkundër, po aty, Euforioni, djali i Faustit dhe i Helenës së Trojës, paraqitet si krijesa ideale, ai që guxon, që rrëzohet, fryt i nji shpirti të gjallë dhe jo i alkimisë (lexo: algoritmeve).
AI mundet me na ndihmue në miliona gjana, tue nisë tek ma të ndërlikuemet e tue përfundue tek veprimi i thjeshtë me gjetë nji rrugë. Dyshoj ama se mundet me na ndihmue me gjetë rrugën drejt vetvetes, artin e vërtetë.
Prandaj edhe letërsia e jonë e sotme, që ma së shumti paraqitet me pompozitetin e nji anije kozmike të bame me gjeth plepash, do të duhej të kërkonte nji Euforion, që edhe etimologjikisht ndjell mirë, e jo nji “packaging” inxhenjerie mendore, ndryshe, vështirë se ka me fluturue përtej kodrinave të Tironës!