Autorja shkodrane Beti Plepçi erdhi për lexuesit me dy botime të reja, novelën “Përtej vehtes” dhe vëllimin poetik “Kur heshtja flet në varg”, të cilat u promovuan së fundmi. Në novelën “Përtej vehtes”, Plepçi vendos në qendër figurën e nënës, duke pasqyruar sfidat dhe sakrificat që ajo përballon në jetë. Ndërsa vëllimi poetik “Kur heshtja flet në varg” përmbledh ndjenja të thella dhe reflektime personale, të shprehura përmes vargjeve që prekin dimensione të ndryshme të shpirtit njerëzor.

Sipas autores, të dy librat janë një mesazh i qartë për të mos u dorëzuar përballë vështirësive, por për të gjetur forcën për të vijuar përpara, pavarësisht dhimbjes. Tematika e ndjerë dhe mënyra e trajtimit të saj është një nga elementët që i veçon këto botime, siç thekson edhe redaktorja Arjola Zadrima, e cila vlerëson thellësinë emocionale që përcjell autorja në të dy veprat.

“Përtej vehtes” dhe “Kur heshtja flet në varg” janë botimet më të fundit të Beti Plepçit, e cila vijon të ruajë të njëjtën qasje, duke zgjedhur që librat e saj t’i dhurojë për lexuesit, njësoj si me veprën e saj të parë “Mall i patretun”.