Në prag të përballjes me Elbasanin, në kampin kuqeblu duket se është lënë pas eliminimi nga Kupa e Shqipërisë ndaj Dinamos, ndërsa i gjithë fokusi tashmë është zhvendosur te kampionati.

Mesfushori i Vllaznisë, Cristian Dros, në konferencën për media të kësaj të diele, u shpreh se skuadra është e vendosur të japë maksimumin për të marrë tre pikët në transfertë.

“Nuk ishte diçka e mirë që u eleminuam nga Kupa por duhet të shohim përpara dhe fokusi ynë është kampionati dhe ndeshja e radhës. Do të japim gjithçka në fushën e lojës për të fituar tre pikët ndaj Elbasanit. Ne e kemi rivalin kryesor këtë skuadër por gjithsesi për të dyja do të jetë një betejë shumë e fortë. Ata vërtetë do të luajnë në “shtëpinë” e tyre por fusha do të jetë e njëjtë për të dyja ekipet. Në qoftë se do të bëjmë detyrën atëherë do të jetë edhe më mirë,” shprehet Dros.

I pyetur për momentin e sezonit dhe peshën që kanë mungesat apo presioni për titullin, mesfushori kuqeblu pranoi se të dy faktorët ndikojnë, por objektivi mbetet i qartë.

“Të dyja kanë peshën e tyre, si mungesat ashtu edhe presioni për të mbajtur vendin e parë dhe për të fituar titullin kampion. E kemi mendjen tek një pjesë e lojtarëve që na janë dëmtuar në ndeshje apo stërvitje. Duhet të mendojmë ta sjellim trofeun e madh në Shkodër që të jemi plotësisht në rrugën e duhur,” thekson Dros.

Vllaznia kryeson kampionatin dhe sfida në transfertë të hënën ndaj Elbasanit konsiderohet si një nga më vendimtaret e javëve të fundit, në garën për titullin kampion.