Vllaznia u dorëzua në “Loro Boriçi”, duke u mposhtur 0-1 nga Dinamo dhe duke mbetur jashtë finales së Kupës së Shqipërisë. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, skuadra kryeqytetase arriti të menaxhojë më mirë sfidën e kthimit, duke siguruar kualifikimin në një ndeshje të luftuar deri në fund.

Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i kujdesshëm nga të dyja skuadrat, me pak raste të pastra për gol dhe me fokus më shumë te organizimi mbrojtës. Vllaznia tentoi të marrë iniciativën përpara tifozërisë së saj, por pa arritur të konkretizojë në zonën kundërshtare.

Ndeshja mori tjetër drejtim në pjesën e dytë, ku loja u hap më shumë dhe tensioni u rrit ndjeshëm. Momenti vendimtar erdhi në minutën e 76-të, kur Dejvi Bregu përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe me një goditje të saktë e dërgoi në rrjetë, duke i dhënë avantazhin Dinamos.

Pas golit, kuqeblutë shtuan presionin dhe kërkuan me ngulm barazimin, duke hedhur më shumë forca në sulm. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe mbështetjes së tifozëve në “Loro Boriçi”, Vllaznia nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës, ndërsa Dinamo u tregua e kujdesshme në administrimin e rezultatit deri në vërshëllimën përfundimtare.

Me këtë fitore, Dinamo siguron biletën për në finale, ku do të përballet me Egnatian, në një finale të njëjtë me sezonin e kaluar, ku blutë janë fitues në fuqi. Finalja e këtij edicioni do të luhet më 13 maj në stadiumin “Air Albania”.

Për Vllazninë, ky eliminim mbyll rrugëtimin në Kupë, ndërsa fokusi tashmë zhvendoset plotësisht te kampionati, ku objektivi mbetet rikthimi i titullit në Shkodër pas një mungese të gjatë prej 25 vitesh.