Mbrëmja artistike e këngëtarit shkodran Hajro Pepaj në skenën e teatrit “Migjeni” u shndërrua në një festë emocionesh në koncertin e tij të tretë recital “Një jetë me këngë”. Përveç interpretimit të repertorit të tij të pasur, në këtë mbrëmje morën pjesë edhe artistë të njohur të këngës dhe humorit, duke i dhënë aktivitetit një dimension të plotë artistik.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në art, këngëtari u nderua me titullin “Mirënjohje” nga Këshilli i Qarkut, një moment që u prit me duartrokitje nga publiku i pranishëm.

Një nga momentet më prekëse të koncertit ishte kur Pepaj interpretoi këngën kushtuar nipave dhe mbesës së tij. Në mes të performancës, ata u ngjitën në skenë dhe e përqafuan, duke e kthyer atë çast në kulmin emocional të mbrëmjes.

Për këtë mbrëmje artistike folën gjithashtu edhe Ruzhdi Çekaj, anëtar i grupit “Karajfilat që ka Shkodra”, si dhe Ilir Zoga, udhëheqës artistik, të cilët vlerësuan kontributin dhe rrugëtimin e gjatë të artistit në skenën muzikore shkodrane.

Në përmbyllje, koncerti “Një jetë me këngë” konfirmoi edhe njëherë se skena shkodrane vijon të mbetet një hapësirë ku arti dhe emocionet ndërthuren natyrshëm, duke ruajtur traditën artistike të qytetit.