Në prag të vigjiljes së Pashkëve, besimtarët katolikë të Shkodrës zhvilluan ritualin tradicional të “Udhës së Kryqit”, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik.

Procesioni nisi nga Katedralja “Shën Shtjefni”, ku në krye ishin Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine dhe famullitari Dom Vlash Palaj. Qindra besimtarë ndoqën në mënyrë simbolike 14 ndalesat e rrugës së mundimit të Jezu Krishtit, duke reflektuar mbi sakrificën, vuajtjen dhe shpresën.

Në kontekstin shqiptar, kjo udhë merr një domethënie edhe më të thellë, pasi lidhet ngushtë me historinë e martirëve të kishës katolike, të cilët kanë përjetuar persekutime dhe sakrifica për besimin.

Gjatë fjalës së tij, Imzot Giovanni Peragine vuri theksin tek rëndësia e paqes, duke kujtuar se në një botë të përfshirë nga padrejtësitë dhe konfliktet, reflektimi shpirtëror mbetet një thirrje për bashkim dhe solidaritet.

Procesioni përfundoi në Varrezat e Rrmajit, ndalesa e fundit e “Udhës së Kryqit”, duke i paraprirë kremtimit të Pashkëve, të cilat këtë vit festohen më 5 prill.