Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka shpallur një mbështetje financiare të konsiderueshme për ekipin e Vllaznisë në prag të fazës vendimtare të kampionatit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se ka propozuar një premio të veçantë prej 15 milionë lekësh të reja në rast se skuadra kuqeblu shpallet kampione, duke e cilësuar këtë si një shtysë konkrete për realizimin e ëndrrës së shumëpritur të qytetit.
Në të njëjtin mesazh, kryebashkiaku thekson se emocionet kuqeblu janë rikthyer fuqishëm, ndërsa gjithë vëmendja e Shkodrës është përqendruar te skuadra në këtë moment kyç të sezonit.
Deklarata vjen në ditën kur Vllaznia përballet me të kuqtë e Partizanit në transfertë, në një ndeshje që konsiderohet e rëndësishme për fatet e titullit kampion sa i përket kuqebluve.
Thirrjes për mbështetje i është bashkuar edhe mesazhi motivues për ekipin: “Forca djem! E gjithë Shkodra është me ju!”, duke reflektuar atmosferën e fortë të mbështetjes qytetare në këtë fazë kulminante të kampionatit.
Statusi i kryebashkiakut Beci në Facebook
Kam propozuar një premio të veçantë prej 15 milion lek të reja për Vllazninë në rast të shpalljes kampione, si një mbështetje konkrete për të bërë realitet ëndrrën që pret i gjithë qyteti.❤️💙
Emocionet kuqeblu rikthehen sot dhe sytë e gjithë Shkodrës janë te djemtë tanë.
Sot Vllaznia përballet me Partizanin në një tjetër finale shumë të rëndësishme në këto javë vendimtare të kampionatit. Një ndeshje që vlen shumë dhe që na bashkon të gjithëve në mbështetje të skuadrës së qytetit tonë.
Forca djem!
E gjithë Shkodra është me ju! 💪💪🏆
