Në kuadër të 4 Prillit, Ditës Botërore të Kafshëve të Rrugës, në Shkodër u organizua një aktivitet i veçantë në dy strehëzat e qenve të Bashkisë, duke sjellë një atmosferë plot dashuri dhe përkujdesje për kafshët.

Turistë të huaj, të pranishëm në qytet, iu bashkuan nismës, duke kaluar disa orë pranë qenve të strehëzës. Ata i nxorën për shëtitje, luajtën me ta dhe u kujdesën për ta, ndërsa e cilësuan këtë eksperiencë si një nga më të veçantat gjatë qëndrimit të tyre në Shkodër. Disa prej tyre shprehën dëshirën për të kontribuar në adoptimin e qenve, duke theksuar se këto kafshë meritojnë një jetë më të mirë dhe një familje që t’i dojë.

Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Veteriner pranë Bashkisë Shkodër, Sokol Malaj, u shpreh se vëmendja ndaj strehëzave po rritet çdo ditë, gjë që reflektohet edhe në shtimin e numrit të vullnetarëve që i frekuentojnë ato.

Pjesë e kësaj dite u bë edhe një moment emocional për banorët e Shtëpisë së të Moshuarve, të cilët patën mundësinë të kalonin kohë me qentë e strehëzës. Falë angazhimit të vullnetarëve, disa prej qenve u dërguan pranë tyre, duke sjellë buzëqeshje dhe ngrohtësi në ambientet e kësaj shtëpie.

Kjo iniciativë përcolli një mesazh të fortë për rëndësinë e kujdesit ndaj kafshëve të rrugës dhe tregoi se përmes gjesteve të vogla mund të krijohen lidhje të mëdha njerëzore.