Aplikimet e para për Kartën e Studentit kanë nisur zyrtarisht në Bashkinë Shkodër, ku tashmë është hapur edhe zyra e posaçme për aplikim fizik pranë sportelit të dedikuar.

Ky shërbim i ri u jep mundësi studentëve të aplikojnë jo vetëm përmes sistemit online, por edhe drejtpërdrejt në ambientet e Bashkisë, duke lehtësuar aksesin dhe përfshirjen e të gjithë të rinjve në këtë proces. Hapja e zyrës shënon nisjen konkrete të aplikimeve për mbi 3700 studentë që studiojnë në qytetin e Shkodrës.

Përmes Kartës së Studentit, të rinjtë do të përfitojnë mbi 100 lehtësira në të gjithë vendin, me zbritje që shkojnë deri në 70% në biznese partnere, si dhe shërbime falas dhe oferta ekskluzive në fusha të ndryshme.

Edita Shoshi, Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë Shkodër, theksoi se kjo është një nismë konkrete në mbështetje të studentëve dhe një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e qytetit.

Aplikimet vijojnë si pranë zyrës së dedikuar në Bashki, ashtu edhe përmes platformës online, duke garantuar një proces sa më të thjeshtë dhe të aksesueshëm për të gjithë studentët.

Karta e Studentit konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së mbështetjes sociale dhe ekonomike për të rinjtë shkodranë, duke krijuar më shumë mundësi dhe përfitime në jetën e tyre akademike dhe përtej saj.