Kombëtarja e basketbollit për meshkuj u mund 68-94 nga Sllovakia në Shkodër, për parakualifikueset e Eurobasket 2027. Sllovakia e nisi menjëherë mirë ndeshjen në Shkodër dhe shkoi deri 10 pikë përpara. Pas largimit të pesëshes titullare, kuqezinjtë arritën të shkurtonin diferencën dhe e mbyllën periodën e parë 15-17 në favor të sllovakëve. 

Me rikthimin e titullarëve, Sllovakia dominoi sërish në periodën e dytë, sidoqoftë kuqezinjtë e ngushtuan diferencën deri në gjashtë pikë. Perioda e tretë foli për Shqipërinë, që e fitoi atë 22 me 17, duke ngushtuar rezultatin e lojës me shtatë pikë diferencë. Në periodën e katërt, Sllovakia u shkëput furishëm falë gjuajtjeve për tri pikë duke ia dalë të fitojë gjithë ndeshjen. 

Kjo është humbja e tretë në tri ndeshje, çka e lë Shqipërinë në vendin e fundit në Grupin C. Ndeshja e ardhshme e kuqezinjve do të jetë në korrik, kundër Kosovës.