Kombëtarja shqiptare e futbollit kërkon këtë javë të shkruajë historinë me kualifikimin për herë të parë në play-off-in e Kupës së Botës. Kuqezinjtë janë në garë për vendin e dytë në grup, pas Anglisë që është tashmë e kualifikuar në mënyrë direkte.

Të enjten, Shqipëria do të përballet me Andorrën, ndërsa paralelisht në “Uembli” luhet sfida Angli–Serbi, një duel që mund të ndikojë drejtpërdrejt në fatet e ekipit tonë.  Ish-kapiteni i Vllaznisë, Astrit Premçi, ndan bindjen e tij se fitorja ndaj Andorrës është detyrim moral dhe sportiv për kuqezinjtë.

Një fitore ndaj Andorrës, e shoqëruar me një triumf të Anglisë ndaj Serbisë, do ta çonte menjëherë Shqipërinë në fazën “play-off”, duke e kthyer ndeshjen e fundit në Tiranë ndaj anglezëve në një festë të madhe.

Në çdo rast tjetër rezultatesh, gjithçka do të vendoset të dielën, kur kuqezinjtë do të luajnë në “Air Albania” dhe serbët do të presin Letoninë në shtëpi.