Me Kushtetutën e vitit 1976, Shqipëria ishte zyrtarisht i vetmi shtet ateist në botë, ndërsa liria e besimit ishte frenuar që prej vitit 1967. Por lidhja e shqiptarëve me Zotin nuk u shkëput kurrë, përtej persekutimeve të rënda e të vazhdueshme.
Prova më e fortë e këtij qëndrueshmërie ishte mesha historike e 11 nëntorit 1990, në varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku Dom Simon Jubani mbajti meshën e parë publike pas dekadave të ndalimit të fesë, ndërsa regjimi komunist ende nuk ishte rrëzuar. Në një intervistë audio të rrallë, Dom Jubani kujton me emocion atë ditë të shenjtë që shënoi rilindjen e shpirtit fetar të shqiptarëve.
Në përvjetorin e 35-të të kësaj ngjarjeje, Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pult, Imzot Giovanni Peragine, shpërndau një mesazh mirënjohjeje, duke vlerësuar guximin e Dom Simon Jubanit dhe duke kujtuar gjithashtu hapjen e Xhamisë së Plumbit më 19 nëntor 1990, si një tjetër simbol të rikthimit të besimit në Shkodër.
“Në atë ditë të nëntorit, Dom Simon Jubani ngriti duart drejt qiellit dhe shqiptoi fjalët e shenjta të Meshës. Ishte një akt i madh feje e dritë për mbarë Shqipërinë. Po ashtu, disa ditë më pas, Hafiz Sabri Koçi ngriti duart në lutje në Xhaminë e Plumbit, duke e bërë Shkodrën vendin ku për herë të parë pas dekadash u dëgjua fjala ‘Zot’ në dy forma të ndryshme, por me të njëjtën dashuri,” – u shpreh Imzot Peragine.

Pas 35 vitesh, zëdhënësi i Kishës, Dom Mark Pashkja, e cilëson këtë datë si një nga më të rëndësishmet në historinë e vendit:
“Në historinë e popujve ka data pesha e të cilave nuk krahasohet me asnjë tjetër. 11 nëntori 1990 është një ndër to, dita kur shqiptarët iu rikthyen lirisë së besimit në Zotin që nuk i kishte braktisur kurrë.”
11 nëntori mbetet dita kur Shkodra u bë dritare e lirisë shpirtërore për mbarë Shqipërinë.
