Shkodra, në stinën e verës, mirëpret jo vetëm turistë, por edhe shumë emigrantë që rikthehen në qytetin e tyre për të sjellë frymë të re në jetën kulturore. Mes tyre është edhe Angjela Vasija, bija e artistit të njohur Gjosho Vasija, e cila sa herë kthehet në vendlindje, sjell projekte të reja me vlerë.

Këtë herë, ajo po punon për një libër me korrespondenca për jetën dhe veprën e Gjosho Vasisë, si dhe një projekt kushtuar bejtës shkodrane. Sipas saj, bejta ka një vend të veçantë në zemër, pasi i rikujton momentet e gëzueshme të dasmës së saj, ku morën pjesë edhe figura të shquara të artit dhe kulturës.

Bujar Zurali, një tjetër emër i njohur në jetën artistike të qytetit, thekson se bejta shkodrane është një “labirint i vërtetë” që fsheh brenda vetes shumë elemente për t’u zbuluar dhe hulumtuar. 

Këto projekte pritet të pasurojnë mozaikun kulturor të Shkodrës dhe të mbajnë gjallë një traditë të vyer që ka shoqëruar qytetin ndër vite.