Nga Loreta Tomaj
Çfarë i lidh dhe i bën që të jenë pranë njëra-tjetrës datat 4 tetor dhe 10 tetor, përveç afërsisë rendore të tyre?
Data 4 tetor është caktuar si Dita Botërore e Kafshëve, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat dhe mirëqenien e kafshëve kudo në botë. U zgjodh kjo datë për të qenë në përkim me Festën e Shën Françeskut, i cili, duke qenë dashamirës i natyrës, u caktua nga Kisha katolike si Pajtori/Mbrojtësi i kafshëve.
Data 10 tetor është caktuar si Dita Botërore e Shëndetit Mendor, me qëllim rritjen e vetëdijes dhe nxitjen e qeverive, të institucioneve, të bashkësive dhe të personave për të investuar më shumë për shëndetin mendor.
Ajo që, sipas meje, i lidh këto dy ditë Botërore është pikërisht arsyeja se pse njerëzit mbajnë kafshë shtëpiake, kryesisht mace e qen, dhe keqqenies së tyre kur këto kafshë sëmuren apo nuk janë më në mesin e tyre. Kjo, sepse prej disa dhjetëvjeçarësh arsyeja pse njerëzit i mbajnë këto kafshë është ajo e krijimit të një lidhjeje afektivo-relacionale.
Shpesh njerëzit i konsiderojnë ata si anëtarë të familjes dhe marrëdhënia me ta shihet si e ngjashme me atë mes dy qenieve njerëzore. Kjo, sepse prania e tyre në shtëpi përmirëson mirëqenien e tyre psikologjike, fizike e atë sociale.
Sot, humbja fizike e një kafshe shtëpiake njihet si faktor stresues dhe potencial për përgjigje fiziologjike zie dhe gjendjeje psikopatologjike.
Zia për këtë humbje mund të zgjasë nga 6 deri në 12 muaj dhe shfaqet në dy forma:
Zia fiziologjike – ndjenjat e ndryshme e të shumta që provohen (trishtim, mospranim, mohim, zemërim, përhumbje, etj.), janë normale për përpunimin e zisë dhe i lënë vend pak nga pak gjendjeve emotive më të qeta, rimarrjes së funksionimit normal të jetës, zvogëlimit të ndjenjës së fajit dhe pranimit të ndryshimit të jetës;
Zia e komplikuar – zgjat më shumëse 1 vit, është shumë e fortë dhe ndërhyn në jetën e individit, duke bërë që ai të mos funksionojë normalisht.
Faktorët që ndikojnë te përjetimi i zisë janë:
- Karakteristikat e personit: femrat dhe të moshuarit zakonisht përjetojnë më shumë dhimbje, si dhe çdo person që kujdeset për një kafshë që i është dhuruar nga një person i rëndësishëm për të;
- Lidhja atashuese: kafsha shtëpiake është burim dashurie e afërsie të pakushtëzuar, që personi nuk arrin ta gjejë te dikush tjetër.
- Eutanazia: ndërprerja e jetës së kafshës shtëpiake për arsye të ndryshme ndikon në shumë aspekte psikologjike, etike dhe praktike të personit që e kërkon atë;
- Mungesa e mbështetjes sociale: personi ndihet i pakuptuar prej të tjerëve, e përjeton vetëm apo gati vetëm këtë zi, mbyllet e izolohet, ftohet që të marrë një kafshë tjetër shtëpiake për të zbutur dhimbjen, duke u ndier i zhvlerësuar në atë që ai po përjeton.
Xhulia, me guxim e me lot ndër sy bashkëndan me ne përpunimin e saj të zisë për Foksin, qenin e saj: “Foksi ka qenë drita e shpirtit tim për 13 vite. Me Foksin kam humbë shokun e ngushtë, vëllain tim, të voglin tim. Kur Foksi ka ndërruar jetë më është dukur sikur kam humbur një pjesë të shpirtit tim, ende sot ndiej një boshllëk në shpirt, edhe pse ka kaluar gati 1 vit që Foksi nuk është më me mua.
E di, duket sikur ka kaluar shumë kohë dhe prandaj edhe njerëzit më pyesin: ‘Ende nuk e ke marrë veten?’. Jo, ende, sepse qenka një proces i gjatë për mendjen dhe për zemrën. Fillimisht s’e pranoja, isha si e mpirë. Nuk e kam pranuar realitetin për disa muaj rresht. Flisja me të çdo ditë, mundohesha ta gjeja te sytë e çdo qeni që shikoja, në çdo re që formohej në qiell e çdo ditë që binte shi e pyesja:
‘A ke frikë Foksi, a të vijnë motra te ti?’.
Kam vënë re se procesi i zisë si për njeriun, ashtu edhe për kafshën e dashur, qenka i vështirë e kërkon kohën e vet. Masandej fillova të pranoja se Foksi nuk ishte më dhe këtu filloi edhe pranimi i realitetit dhe i jetës pa të. Është e vështirë, por është e mundur.
Shpresoj që të vijë dita kur të jem e lumtur dhe falënderuese për vitet e bukura që kam kaluar me Foksin tim”.
Përpunimi i zisë ndihmohet nga:
- Mbështetja e personave që nuk e zhvlerësojnë dhimbjen që personi ndien, përfshi edhe seanca te psikologu;
- Ruajtja e kujtimeve të bukura që personi ka me kafshën e vet shtëpiake, shikimi i fotove të bëra me të, shkrimi i letrave, biseda në lidhje me kohën e kaluar me të;
- Ritualizimi: përshëndetjet në mëngjes apo në darkë; krijimi i kutisë së kujtimeve, siç ka bërë Valerja për Belën e saj, fotot e tëcilës ilustrojnë këtë artikull;
- Leximi i librave që trajtojnë këtë temë;
- Vazhdimi i jetës: nëse personi ka kafshë të tjera shëpiake vazhdon e kujdeset për ta; nëse nuk ka, nuk e ka të qartë nëse do të marrë dhe kur do ta marrë një tjetër kafshë shtëpiake, pasi ndoshta nuk dëshiron të përballet sërish me humbjen dhe zinë; nëse merr një kafshë të tillë duhet të ketë parasysh se ajo nuk e zëvendëson kafshën e mëparshme, por është vetëm një rast që personi të rritet dhe të jetojë me dikënd pranë.
Dëshiroj ta mbyll këtë artikull me titullin e librit që Valerja ka filluar të lexojë kur Bela e saj nuk ishte më me të: “Was bleibt ist Liebe” – “Ajo që mbetet është dashuria”. Vërtet, ajo që mbetet është aftësia jonë për të dashur një krijesë, aftësia jonë për ta lënë veten për t’u dashur prej një krijese, siç po bën Valerja me Roin, qenin e saj të ri.
