Shkodra i ka dedikuar lules këngë dhe kësaj të fundit festival. “Luleborë” çeli edicionin e tij të 8-të. Nata e parë e festivalit nisi me një Requiem për mjeshtrin e muzikologjisë shqiptare Ramadan Sokolin, për të vijuar më pas me prezantimin e 18 këngëve konkuruese.
Spektatorët e pranishëm në Teatrin “Migjeni” shijuan tingujt dhe ritmet e krijimeve të reja artistike nën ekzekutimin live të orkestrës së festivalit ndërsa nga viti në vit ai po merr gjithnjë e më tepër karakterin mbarëkombëtar. Nga Shkodra, Tirana, Kosova etj. artistët i dhanë ngjyra festivalit në këtë natë të parë nën moderimin e Arjola Shehut.
Për drejtorin artistik të festivalit, Markelian Kapidanin, kjo natë e parë i përmbushi me sukses pritshmëritë e organizatorëve. Regjisori Bojken Lako vlerëson festivalin në të gjithë komponentët e tij.
18 këngët do të rikëndohen edhe në natën e dytë të festivalit ku juria e përbërë nga: Jetmir Shpuza, Kamela Islamaj, Bashkim Alibali, Gridi Kraja, dhe Alban Male do të vlerësojnë edhe këngën më të mirë për këtë vit. Festivali “Luleborë” do të përcillet për shikuesit e rrjetit të RTSH në ditët në vazhdim.
