Kumtesë e mbajtur nga Profesor Gjon Frani Ivezaj në promovimin e librit “Vatra në kapërcyell të shekujve” të autorit Dr. Gjon Buçaj.
Të nderuar familjarë, organizatorë dhe të pranishëm. Ndihem shumë i privilegjuar që gjendem sot në mesin tuaj në promovimin e këtij libri publicistik, autori i të cilit është Gjon Lekë Buçaj, atdhetar dhe veprimtar i shquar i diasporës shqiptare, njohës i mirë i gjuhës dhe kulturës amëtare, i letërsisë dhe historisë, kontribues i flaktë në mbrojtje të çështjes shqiptare, idealist dhe optimist për të tashmen dhe të ardhmen e kombit.
Ky libër meriton të vlerësohet së tepërmi për të gjitha materialet e pasqyruara në të, pasi secila prej tyre ka vlera të padiskutueshme arkivore mbi segmentet e jetëshkrimit të përvojave të jetës së tij në mërgim, gjurmët e të cilit udhëtuan paralel me rrugëtimin e Federates Panshqiptare “Vatra”, një nga degët e së cilës Gjon Lekë Buçaj për vite me radhë e përfaqësoi me dinjitet.
Mendimtari Salinger në një nga frazat e tij më të famshme thoshte se.. “pasi të kesh mbaruar së lexuari një libër do të doje ta kishe mik autorin e librit që të mund t’i telefonoje e t’i tregoje si ndihesh”, ndaj edhe unë sot në mungesë të autorit të cilin e kujtoj me respekt gjej rastin të ndaj me ju ato ndjesi që mora nga ky libër dhe këto materiale të renditura me shumë kujdes brenda tij.
Në vlerësimin tim personal do të veçoj dy nga aspektet më të rëndësishme që vlejnë të theksohen për këtë libër, që janë cilësia dhe përmbajtja!
Sa i përket cilësisë është mjaft e qartë se gjuha e shkruar në të folmen gegë dhe kronologjia e ngjarjeve që radhiten në varësi të kohës dhe rëndësisë e bëjnë këtë libër të dashur për lexuesin e thjeshtë dhe me shumë vlerë për studiuesin e mirëfilltë pasi ky libër është mjaft i kopsitur me fakte dhe shumë i pasur me referenca burimore.

Nga ana tjeter në përmbajtjen e tij, libri vjen i shtrirë në disa kapituj brenda të cilëve gjejmë fakte dhe dëshmi rreth ngjarjeve reale të jetës së autorit dhe veprimtarisë së Vatres, të shtrirë në kohë e në hapësirë. Te ky libër lexuesi informohet mbi udhët e jetës së autorit si dhe organizimin e punës në qendrën më të madhe panshqiptare të “Vatrës”, përfshi këtu mbledhjet dhe raportet zyrtare të “Vatrës”, deklaratat dhe mirënjohjet, shkrimet me rëndësi historike, intervistat, korrespondencat në vite me ambasadat dhe Ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, takimet, ftesat, kontaktet, urimet, ngushëllimet, përkujtimoret etj.
Ky libër i shkruar me një gjuhë të ëmbël e të përzemërt nga autori e bën akoma më të veçantë në vëmendjen e lexuesit. Këtu autori duke përdorur një modesti fisnike tipike shqiptare është munduar të na përfshijë më mendime dhe ngjarje duke zgjuar një imagjinatë të fjetur tek ne e cila lundron mes nevojës dhe suksesit, përvojës dhe realitetit, qëndrimit dhe reagimit sidomos për çështjet e veprimtarive që lidhen me drejtimin e “Vatrës”.
Për të kuptuar sa më mirë vlerën e këtij libri fillimisht duhet të marrim pak njohuri mbi autorin, biblografinë e të cilit e gjejmë të shkruar në faqen e pasme të kopertinës.

Autori Buçaj apo Gjon Lekë Buçaj lindi në vitin 1934 në fshatin Arst-Miliska të Pukës.
Shkollën fillore dhe dy klasë unike (kështu thirrej atëherë) i kreu në fshatin e lindjes për të vazhduar më pas në Shkodër me ciklin e lartë. Në korrik të vitit 1951 familja e tij arratiset për në Jugosllavinë e atëhershme. Dy vite të shkollës së mesme Gjoni i kryen në Gjakovë e më pas në vitin 1953 zhvendoset në gjimnazin e Prishtinës ku diplomohet me rezultate të larta verën e vitit 1957. Dy vite më vonë filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup ku për arsye politike dhe emigrimi studimet i vazhdoi në Universitetin “La Sapienza” të Romës në vitin 1974. Në nëntor të atij viti Gjon Lekë Buçaj emigroi drejt SHBA-së, ku vazhdoi studimet e detyrueshme për mbrojtjen e diplomës që mbartin mjekët e diplomuar jashtë Amerikës (ECFMG, FLEX).
Më pas Gjon Lekë Buçaj anëtarësohet në Akademinë Amerikane të Mjekëve të Përgjithshëm (AAGF).
Gjon Lekë Buçaj menjëherë sa mbërriti në Amerikë u aktivizua pranë komunitetit të “Vatrës”, BKI dhe LQSHA, ku ka dhënë një kontribut të rrallë në veprimtaritë e asaj kohe duke bërë një emër të rëndësishëm në qarqet elitare të këtyre organizatave derisa një ditë të marrë në drejtim edhe qëndren e “Vatrës”.
I mirënjohur si një profesionist i rrallë në fushën e mjekësisë duke punuar në spitalet më të rëndësishmë rajonale e qëndrore, shtetërore e private si spitalet e Misericordia dhe Lincoln (Residency) dhe në Mount Vernon Neighborhood Health Center në New York ka mundur të japë kontribut personal humanitar ekonomik dhe profesional për komunitetin shqiptar ku ai ishte integruar.

Gjon Lekë Buçaj mbetet një nga shqiptarët më të nderuar të cilin mosha nuk e pengoi të punojë këtë dorëshkrim të cilin po promovojmë sot në mungesë të tij. Të përulur me respekt para kësaj figure të ndritur gjej rastin t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij të shumtë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
New York, SHBA (Nëntor 2022)
