Festivali Mbarëkombëtar i Humorit ka përmbyllur në Teatrin “Migjeni” edicionin e tij të parë nën emërtimin e ri “Tano Fest”, në nderim të 100-vjetorit të lindjes së aktorit të shquar të humorit shkodran, Tano Banushi. Mbrëmja finale, e titulluar “Nata e Yjeve”, solli në skenë artistë të njohur të humorit shqiptar, ndërsa nuk munguan interpretimet muzikore nga këngëtarët shkodranë.
Parodistët e Vlorës sollën atmosferën dhe motivet e këngës shkodrane në skenën e Teatrit “Migjeni”, gjatë spektaklit “Nata e Yjeve”, pjesë e festivalit të humorit “Tano Fest”. Interpretimi i tyre u prit me entuziazëm nga publiku shkodran, i cili i shpërbleu artistët me duartrokitje të ngrohta.
Pas një jave të mbushur me shfaqje dhe humor, festivali uli siparin me ndarjen e çmimeve për artistët dhe produksionet më të spikatura të këtij edicioni. Juria, e përbërë nga Zyliha Miloti, Arian Çuliqi, Julian Deda, Romir Zalla dhe Primo Shllaku, vlerësoi me çmimin “Shfaqja më e Mirë” komedinë “Gomerët e Trojeve”, me regji të Gent Bejkos dhe interpretim të trupës së Teatrit “Migjeni”.
Një tjetër vlerësim shkoi për aktorin shkodran Fritz Selmani, i cili u shpall “Artisti i Ri më i Mirë”. Çmimin “Aktori më i Mirë” e fitoi Gentian Zenelaj, ndërsa Luiza Xhuvani u vlerësua si “Aktorja më e Mirë”. Çmimi për “Regjisorin më të Mirë” iu dha Ilir Bokshit.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte ndarja e Çmimit të Karrierës për “Mjeshtrin e Madh” Besnik Çinari, një prej figurave më të njohura të humorit shkodran. Për arsye shëndetësore, artisti nuk ishte i pranishëm në ceremoni, ndërsa çmimin e tërhoqi vajza e tij.
Në përfundim të festivalit, drejtori i Teatrit “Migjeni”, Gerti Palali, konfirmoi se “Tano Fest” do të vijojë të organizohet edhe në vitet e ardhshme. Ai e cilësoi këtë aktivitet si një festë që bashkon teatrot dhe artistët nga të gjitha trevat shqiptare, duke e kthyer Shkodrën në një pikëtakim të rëndësishëm të humorit mbarëkombëtar.
I emocionuar nga vlerësimi, aktori shkodran Fritz Selmani e konsideroi festivalin një ngjarje të veçantë për jetën artistike të qytetit. “Ky festival është dhurata më e bukur që i bëhet këtij qyteti”, u shpreh Selmani për mediat e pranishme.
Festivali nisi më 14 nëntor dhe përgjatë tij u ngjitën në skenën e Teatrit “Migjeni” shtatë komedi, duke sjellë për publikun interpretime dhe stile të ndryshme të humorit shqiptar. “Nata e Yjeve” shënoi përmbylljen festive të këtij edicioni, ku humori dhe muzika u ndërthurën në një mbrëmje që bëri bashkë artistë të disa brezave.
I organizuar me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe Teatrit “Migjeni”, “Tano Fest” synon të kthehet në një traditë të përvitshme, duke ruajtur trashëgiminë e humorit shkodran dhe duke krijuar hapësira për brezat e rinj të artistëve.
