Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona të qarkut Shkodër, kryesisht në akset rrugore malore dhe në furnizimin me energji elektrike. Megjithatë, sipas Institucionit të Prefektit, situata hidrometeorologjike paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme.

Problematikat më të theksuara raportohen në Bashkinë Pukë, ku reshjet intensive dhe erërat e forta kanë shkaktuar rrëshqitje të skarpatave dhe rënie gurësh në rrugët rurale të njësisë administrative Qelëz. Rënie gurësh janë regjistruar edhe në Fushë-Arrëz, ndërsa në njësinë administrative Blerim ka ndërprerje të energjisë elektrike.

Në Bashkinë Shkodër, reshjet e natës nuk kanë shkaktuar probleme serioze, përveç ndërprerjeve të energjisë në disa zona. Ndërkohë, në Malësi të Madhe dhe Vau i Dejës nuk raportohen problematika.

Gjatë 24 orëve të fundit në qarkun Shkodër janë regjistruar rreth 48 milimetra reshje shiu. Nivelet e lumit Drin, Liqenit të Shkodrës dhe digës së Shtodrit mbeten nën kuotat e rrezikut, ndërsa hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri.

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, veçanërisht në rrugët malore ku ekziston rreziku i rënies së gurëve dhe rrëshqitjes së dherave.