Në kuadër të kremtimeve të 10-vjetorit të lumnimit të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 martirëve të tjerë të Kishës Katolike, në Shkodër u zhvillua konferenca me temë “Trashëgimia shpirtërore dhe intelektuale e Martirëve”.

Konferenca u hap me përshëndetjen e Arqipeshkvit të Shkodër-Pultit, Imzot Giovanni Peragine, i cili vlerësoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës dhe trashëgimisë së martirëve.

Historiani Romeo Gurakuqi dhe studiuesi Ardian Ndreca u ndalën te kontributi shpirtëror dhe intelektual i martirëve, duke sjellë në vëmendje veprat, formimin dhe vlerat që ata lanë pas.

Një nga figurat që dha kontribut në procesin e lumnimit të martirëve ishte edhe Imzot Angelo Massafra, i cili shërbeu për 27 vite në Shqipëri. Në përfundim të konferencës, ai u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje, të cilën ia dorëzoi Arqipeshkvi Giovanni Peragine.

Konferenca “Trashëgimia shpirtërore dhe intelektuale e Martirëve”, e zhvilluar në Sallën Koliqi, ishte pjesë e aktiviteteve përkujtimore kushtuar 10-vjetorit të lumnimit të 38 martirëve shqiptarë, të cilët u persekutuan gjatë regjimit komunist.