Vllaznia në basketboll për meshkuj vijon ecurinë pozitive në kampionat, duke triumfuar edhe në kryendeshjen e javës së katërt ndaj Teutës. Në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, kuqeblutë fituan me rezultatin e ngushtë 92-90, pas një tjetër përmbysjeje dramatike në sekondat e fundit. Pavarësisht një fillimi të dobët, basketbollistët shkodranë arritën të rikuperonin diferencën dhe të siguronin një fitore të rëndësishme. Trajneri Eni Llazani evidentoi gabimet në mbrojtje gjatë fillimit të takimit, duke kritikuar edhe neglizhencën e lojtarëve të tij.

Pavarësisht rezultateve pozitive dhe kryesimit të kampionatit, trajneri Llazani ngriti shqetësimin për situatën financiare të klubit. Sipas tij, buxheti i Vllaznisë është i krahasueshëm me atë të një skuadre që renditet në vendin e fundit, një realitet që nuk përputhet me rezultatet dhe ambiciet e ekipit shkodran.

Me këtë fitore, Vllaznia konfirmon pozitat në krye të renditjes dhe synon të vijojë serinë e rezultateve pozitive. Në javën e pestë të kampionatit, kuqeblutë do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku do të përballen në transfertë me Flamurtarin.