Industria e filmit shqiptar po synon një fazë të re zhvillimi, përmes nismave dhe projekteve që kanë në fokus mbështetjen e kinematografisë vendase. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, thekson se ndër prioritetet kryesore janë ligji për kinematografinë dhe rivitalizimi i sallave të kinemave, me synim krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e industrisë së filmit në vend.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes dhe projekteve të parashikuara, kinematografia shqiptare vijon të përballet me sfida të rëndësishme. Sipas Jorgjit, zhvillimi i qëndrueshëm i kësaj industrie kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe zgjidhje afatgjata për problematikat me të cilat përballet sektori.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm për kinematografinë shqiptare është rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit. Jorgji e vlerëson këtë si një hap përpara për promovimin e krijimtarisë kinematografike vendase, ndërsa thekson se synimi tashmë është garantimi i vazhdimësisë së këtij aktiviteti.

Mbështetja e prodhimeve vendase, përmirësimi i infrastrukturës dhe afrimi i publikut me filmin shqiptar mbeten elementë të rëndësishëm për të ardhmen e kinematografisë në vend.