Shkodra u bë qyteti i parë ku ka nisur turi i filmit shqiptar, një nismë që synon të sjellë prodhimet kinematografike vendase më pranë publikut në të gjithë vendin. Në Kinema “Republika” u shfaq filmi “Luna Park”, me regji të Florenc Papas, i cili rikthen në ekran ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, duke trajtuar pasojat e krizës së firmave piramidale në jetën e familjeve shqiptare.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, thekson se Shkodra është përzgjedhur si stacioni i parë i këtij turi, i cili do të vijojë në qytete të tjera të vendit, nga veriu në jug, me synimin për të promovuar filmin shqiptar dhe për të afruar publikun me kinematografinë vendase.
Filmi “Luna Park”, me protagonistë Adriana Matoshin dhe Nik Xhelilajn, ishte kandidatura zyrtare e Shqipërisë për çmimet Oscar 2026, në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar. Shfaqja në Shkodër u shoqërua edhe me një diskutim të hapur me publikun, ndërsa turi synon t’u krijojë mundësi spektatorëve në qytete të ndryshme të njihen me prodhimet e kinematografisë shqiptare.
