Festivali teatror “Gjegju Fest” ka nisur edicionin e tij të dytë në Shkodër, duke sjellë për publikun në Teatrin “Migjeni” shfaqjen “Kur gënjeshtra vishet si e vërtetë”, me regji të Astrit Fanit.
Shfaqja trajton një nga problematikat më të përhapura të shoqërisë së sotme, dezinformimin dhe vështirësinë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, veçanërisht në një kohë kur informacioni përhapet me shpejtësi përmes rrjeteve sociale.
Regjisori Astrit Fani ndalet te mesazhi që përcjell vepra, duke theksuar rëndësinë e mendimit kritik dhe ndërgjegjësimit përballë informacioneve të pavërteta.
Edhe për interpretuesit e rinj, kjo shfaqje sjell në vëmendje një fenomen me të cilin përballen shpesh të rinjtë, duke nxitur reflektimin mbi ndikimin që mund të kenë gënjeshtrat në jetën e përditshme.
Festivali “Gjegju Fest” do të vijojë edhe gjatë netëve të ardhshme në Shkodër, duke sjellë të tjera shfaqje teatrore për publikun dhe duke pasuruar kalendarin e aktiviteteve kulturore të qytetit.
