Transporti urban në Shkodër po shoqërohet me një shërbim të ri digjital, që u mundëson qytetarëve të ndjekin në kohë reale lëvizjen e autobusëve dhe të mësojnë kohën e parashikuar të mbërritjes në stacione. Kjo risi synon të lehtësojë udhëtimin e përditshëm dhe të përmirësojë informimin e qytetarëve që përdorin transportin publik.
Specialisti i Transportit në Bashkinë Shkodër, Suad Tafili, shpjegon se ky shërbim vjen krahas përmirësimit të flotës së autobusëve, si pjesë e përpjekjeve për modernizimin gradual të transportit urban në qytet.
Përmes platformës Lviz.al, udhëtarët mund të kontrollojnë nga telefoni vendndodhjen e autobusëve, stacionet e linjave dhe kohën e parashikuar të mbërritjes. Aktualisht, shërbimi ofron informacion për linjat Bahçallëk–Fermentim dhe Shkodër–Zogaj, duke përfshirë edhe autobusët aktivë në qarkullim.
Përdorimi i kësaj teknologjie pritet t’i ndihmojë qytetarët të planifikojnë më mirë lëvizjet e tyre, duke e bërë transportin publik më praktik dhe më të aksesueshëm.
