Dita e tretë e protestës studentore në Shkodër nisi në orën 14:00 në sheshin përpara Teatrit “Migjeni”, duke vijuar më pas me marshimin e protestuesve në rrugët kryesore të qytetit. Ndalesa e parë ishte përpara godinës së Bashkisë Shkodër, ku nuk u regjistruan incidente, por vetëm thirrje kundër klasës politike shqiptare.
Marshimi vijoi drejt sheshit “Demokracia”, duke sjellë edhe ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit të automjeteve. Gjatë kësaj pjese të protestës u regjistruan incidentet e para, ku disa prej pjesëmarrësve përmbysën kontejnerët e mbeturinave dhe dëmtuan sinjalistikën rrugore. Në këto kushte ndërhynë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët shoqëruan në Komisariatin e Policisë Shkodër disa persona, kryesisht adoleshentë, mes tyre edhe të mitur.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit ndryshuan drejtim, duke marshuar drejt komisariatit. Aty ata u takuan me drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Dashamir Spaho, ndërsa qëndruan për disa minuta përpara godinës, deri në lirimin e të gjithë personave të shoqëruar.
Më pas, protesta vijoi drejt sheshit “Nënë Tereza”, ku u regjistruan dëmtime të disa semaforëve. Marshimi u zhvendos më tej në drejtim të stadiumit “Loro Boriçi” dhe sheshit të Zdrales, ku pati sërish dëmtime të objekteve të ndryshme.
Kështu, dita e tretë e protestës studentore në Shkodër, e cila nisi e qetë përpara Teatrit “Migjeni”, u shoqërua në vijim me incidente, dëmtime të pronës publike dhe ndërhyrje të efektivëve të Policisë së Shtetit.
