Edhe në moshën 91-vjeçare, Gjokë Vata vazhdon të jetë aktiv në krijimtarinë e tij artistike dhe letrare. Këngëtari, kompozitori dhe poeti shkodran, i cili e ka humbur shikimin që në fëmijëri, ka ndërtuar një jetë të pasur me muzikë, poezi dhe përkushtim ndaj artit. Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, historia e tij vjen si një shembull i pasionit dhe vullnetit për të krijuar, pavarësisht vështirësive.
Për Gjokë Vatën, vitet që kalojnë nuk e kanë zbehur dëshirën për të shkruar. Vetëm pak muaj më parë, ai solli për lexuesit vëllimin poetik “Frymëzime poetike”, duke dëshmuar se krijimtaria mbetet pjesë e pandashme e jetës së tij. Përvoja shumëvjeçare e artistit është edhe një mundësi për të reflektuar mbi sfidat me të cilat përballen personat që nuk shikojnë dhe rëndësinë e mbështetjes nga shoqëria.
15 tetori, Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, synon ndërgjegjësimin për të drejtat, pavarësinë dhe përfshirjen e personave me dëmtime të shikimit. Përmes rrugëtimit të Gjokë Vatës, kjo ditë merr një dimension njerëzor, duke sjellë në vëmendje jo vetëm vështirësitë, por edhe aftësitë, talentin dhe kontributin që këta persona japin në shoqëri.
