Bashkia Shkodër ka nisur aksionin për çlirimin e hapësirave të shkollës “Mati Logoreci” nga ndërtimet pa leje.
Ndërhyrja është përqendruar në ambientet që duhet të ishin në funksion të nxënësve dhe të përdoreshin për aktivitetet e tyre. Prej vitesh, një pjesë e këtyre hapësirave, përfshirë edhe zonën e parashikuar për palestër, ishte zënë nga objekte të paligjshme, duke kufizuar territorin në dispozicion të institucionit arsimor.
Aksioni për prishjen e ndërtimeve dhe lirimin e ambienteve do të vijojë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri në çlirimin e plotë të territorit të shkollës. Sipas Bashkisë Shkodër, synimi është që të gjitha hapësirat e zëna t’u rikthehen nxënësve dhe të vendosen sërish në funksion të shkollës.
Bashkia thekson se shkollat dhe hapësirat e dedikuara për fëmijët janë të paprekshme, ndërsa ndërhyrje të tilla do të synojnë rikthimin e ambienteve publike në funksionin për të cilin janë destinuar.
