Një ditë para sfidës me Teutën, përforcimi i Vllaznisë në këtë sezon, Emiljano Musta, shprehu besimin se kuqeblutë do të reagojnë dhe do të gjejnë së shpejti fitoren e parë në kampionat.
Mbrojtësi pranoi se skuadra nuk e ka nisur mirë sezonin, ndërsa një nga arsyet e rezultateve të deritanishme e lidh me faktin se grupi është i ri dhe ende nuk ka arritur harmonizimin e plotë.
Sipas Mustës, ndërprerja trejavore e kampionatit për shkak të angazhimeve të Kombëtares mund t’i shërbejë Vllaznisë për të punuar dhe për të përmirësuar aspektet ku skuadra ka shfaqur probleme.
Në planin personal, Musta tha se është pritur mirë në Shkodër dhe ndihet i kënaqur me ambientin ku është bashkuar këtë sezon.
Futbollisti foli edhe për largimin nga AF Elbasani, duke deklaruar se oferta e bërë nga drejtuesit e klubit ishte, sipas tij, “qesharake” dhe për këtë arsye vendosi ta refuzonte.
Duke iu referuar edhe incidenteve të ndeshjes Elbasani–Vllaznia, Musta theksoi se ato nuk duhet të lidhen me tifozët elbasanas. Si një djalë i Elbasanit, ai tha se nuk ka asnjë konflikt me tifozërinë e qytetit.
Vëmendja tashmë është te përballja me Teutën. Edhe pse durrsakët mbërrijnë në Shkodër si kryesues të kampionatit, Musta beson se Vllaznia i ka mundësitë për të marrë fitoren e parë të sezonit. Sfida Vllaznia–Teuta luhet të premten, në orën 18:30, në stadiumin “Loro Boriçi”.
