Edicioni i pestë i Festivalit Letrar “Gegnisht” do t’i kushtohet figurës së Kolë Mjedës, një prej personaliteteve të njohura të jetës qytetare, politike dhe intelektuale të Shkodrës në gjysmën e parë të shekullit XX.
Aktiviteti do të zhvillohet më 3 tetor 2026, në orën 18:00, në shtëpinë e Kolë Mjedës, duke sjellë në vëmendje kontributin e tij në jetën publike dhe qytetare.
Kolë Mjeda, i lindur në vitin 1895, ishte sipërmarrës, publicist, themelues i lëvizjes sindikaliste shqiptare dhe një figurë aktive në administratën e kohës. Në vitet 1924–1925 drejtoi Bashkinë e Shkodrës, ndërsa më pas shërbeu si deputet, zëvendëspresident i Asamblesë Shqiptare dhe prefekt i Dibrës.
Veprimtaria e tij u shtri edhe në publicistikë, përmes drejtimit të gazetës “Zani i Popullit” dhe shkrimeve në revistën “Leka”, ku trajtoi çështje të ekonomisë, bujqësisë, arsimit dhe zhvillimit të vendit.
Në vitin 1945, Kolë Mjeda u arrestua nga regjimi komunist për bindjet e tij politike dhe ndërroi jetë në Burgun e Burrelit më 24 prill 1951. Sot ai kujtohet si një prej figurave të qytetarisë shkodrane dhe mban titujt “Qytetar Nderi” i Shkodrës dhe “Martir i Demokracisë”.
Edicioni i pestë i Festivalit Letrar “Gegnisht” synon të rikthejë në vëmendje figurën dhe trashëgiminë e Kolë Mjedës, 75 vjet pas ndarjes së tij nga jeta.

