Në sallën “Mikel Koliqi” të Katedrales së Shkodrës, muzika korale solli një mbrëmje të veçantë, duke bashkuar në të njëjtën skenë Charité Chor Berlin nga Gjermania, nën drejtimin e Adrian Emans, dhe Korin Polifonik “Prenkë Jakova”, nën drejtimin e mjeshtrit Gjon Shllaku.
Takimi mes dy formacioneve korale u kthye në një mundësi bashkëpunimi dhe shkëmbimi artistik. Mjeshtri Gjon Shllaku vlerëson rëndësinë e kësaj mbrëmjeje dhe bashkëpunimin me korin gjerman.
Programi solli një ndërthurje mes repertorit klasik europian dhe krijimtarisë muzikore shqiptare. Në sallë u interpretuan vepra nga Bach, Schumann, Cornelius e Whitacre, krahas krijimeve të Ramadan Sokolit, Memli Kelmendit, Prenkë Jakovës, At Martin Gjokës dhe Gjon Shllakut.
Përtej repertorit, protagonist ishte emocioni. Harmonia e zërave dhe akustika e veçantë e hapësirës krijuan një atmosferë që u përcoll me vëmendje nga publiku shkodran. Sipas Gjon Shllakut, koncerte të tilla shkojnë përtej interpretimit artistik, pasi muzika dhe bashkëpunimi mes artistëve mund të përcjellin edhe mesazhe të rëndësishme për shoqërinë.
Publiku e shpërbleu interpretimin me duartrokitje të gjata, duke përmbyllur një mbrëmje ku dy tradita muzikore u takuan përmes gjuhës universale të muzikës. Shkodra dëgjoi muzikë, por mbi të gjitha përjetoi emocion.
