Zhvillimet që pasuan ndeshjen Elbasani–Vllaznia kanë bërë bashkë përfaqësues të klubit dhe komunitetit sportiv shkodran në një takim të hapur të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”. Në qendër të diskutimeve ishin problematikat e evidentuara në ndeshjen e fundit, arbitrimi dhe qëndrimi që Vllaznia do të mbajë në vijim.
Presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, përcolli mesazhin se klubi shkodran nuk kërkon favorizime, por vetëm drejtësi dhe trajtim të barabartë.
Sipas Xhaferit, sistemi aktual duhet të rishikohet, ndërsa për përmirësimin e tij nevojitet bashkëpunim me strukturat dhe instancat e tjera të futbollit shqiptar.
Në takim foli edhe presidenti i KFF Vllaznia, Lazër Matija, i cili ngriti shqetësimin për arbitrimin ndaj skuadrës shkodrane. Sipas tij, Vllaznia është përballur me vendimmarrje të njëanshme dhe kjo situatë duhet të ndryshojë.
Matija ngriti gjithashtu shqetësimin se shpesh kampionati paragjykohet që në nisje të tij, ndërsa u ndal edhe te mungesa e një ligji funksional për sponsorizimin, të cilin e konsideroi të domosdoshëm për zhvillimin e sportit.
Takimi vjen pas polemikave të krijuara nga ndeshja Elbasani–Vllaznia, e mbyllur në barazim 1-1, pas së cilës klubi shkodran ka kontestuar disa prej vendimeve të arbitrimit dhe ka kërkuar analizimin e episodeve të diskutueshme.
