Një kërcënim për bombë i mbërritur përmes postës elektronike ka vënë në lëvizje strukturat e Policisë së Shtetit edhe në Shkodër. Mes institucioneve që kanë marrë mesazhin kërcënues ishte edhe Bashkia Shkodër, ku menjëherë nisën kontrollet nga forcat e policisë dhe strukturat e Antiterrorit.
Mesazhi, i dërguar mëngjesin e kësaj të enjteje nga një adresë ende e paidentifikuar, përmbante kërcënime terroriste dhe pretendonte se në ambientet e institucioneve ishte vendosur një bombë.
Në Bashkinë Shkodër u kryen verifikime në ambientet e godinës për të përcaktuar nëse kërcënimi kishte bazë reale. Nga kontrollet nuk u konstatua prania e ndonjë lënde apo mjeti shpërthyes.
Alarmi nuk ishte i kufizuar vetëm në Shkodër, pasi e-maile të ngjashme kanë mbërritur edhe në institucione të tjera në qytete të ndryshme të vendit, duke sjellë mobilizimin e strukturave të sigurisë dhe kontrolle në godinat e përfshira.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, po punon për të gjurmuar origjinën e mesazheve dhe për të identifikuar autorin ose autorët që qëndrojnë pas kërcënimit.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se situata po monitorohet, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë.
