Harta e re gjyqësore vijon të sjellë problematika për qytetarët që kërkojnë të ndjekin çështjet e tyre në Apel. Përqendrimi i dosjeve në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka sjellë një numër të lartë çështjesh dhe pritje të gjatë për shqyrtimin e tyre.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë Shkodër thotë se kjo situatë krijon vështirësi dhe kosto shtesë për qytetarët, të cilëve u duhet të presin gjatë dhe të udhëtojnë drejt kryeqytetit për proceset gjyqësore.
Sipas tij, efektet e hartës gjyqësore shkojnë përtej kostove dhe kohës së pritjes. Distanca dhe vështirësitë për ndjekjen e proceseve në Tiranë mund të ndikojnë edhe në vendimin e qytetarëve nëse duhet ose jo të ankimojnë një vendim të shkallës së parë.
Përqendrimi i Apelit në Tiranë mbetet kështu një prej çështjeve më të diskutuara të hartës gjyqësore, ndërsa nga avokatia kërkohet që aksesi i qytetarëve në drejtësi të jetë më i lehtë dhe me më pak kosto.
