Galeria e Arteve në Shkodër është shtëpia e një fondi të pasur me vepra të autorëve më të spikatur shkodranë dhe shqiptarë. Ruajtja e kësaj pasurie artistike kërkon një kujdes të vazhdueshëm, ndërsa procesi i konservimit mbetet sa i rëndësishëm, aq edhe sfidues.
Drejtori i Galerisë së Arteve, Fatmir Juka, thotë se konservimi është thelbësor për të mbrojtur veprat nga dëmtimi dhe për t’i përcjellë ato në gjendjen më të mirë të mundshme tek brezat e ardhshëm.
Një tjetër problematikë mbeten hapësirat aktuale të Galerisë, të cilat konsiderohen të pamjaftueshme për fondin dhe aktivitetin e këtij institucioni. Prej kohësh është diskutuar nevoja për krijimin e kushteve më dinjitoze, që do të mundësonin jo vetëm ruajtjen më të mirë të veprave, por edhe ekspozimin e një pjese më të madhe të tyre për publikun.
Drejtuesit e Galerisë shpresojnë që diskutimet për përmirësimin e hapësirave të konkretizohen në të ardhmen, duke i dhënë Shkodrës një galeri me standarde më të përshtatshme për vlerat artistike që ajo ruan. Një ndërhyrje e tillë do të krijonte kushte më të mira për konservimin, ekspozimin dhe promovimin e trashëgimisë së pasur të artit pamor.
