Transporti publik në linjën Shkodër–Shirokë–Zogaj do të ketë një frekuencë më të lartë, duke nisur nga kjo fundjavë. Shtimi i orareve synon të krijojë më shumë mundësi lëvizjeje gjatë gjithë ditës për banorët e zonës, por edhe për vizitorët që frekuentojnë Shirokën dhe Zogajn.
Sipas orarit të përcaktuar për sezonin veror, nga 15 qershori deri më 15 shtator, autobusët do të lëvizin në pesë orare gjatë ditës: në 07:30, 11:00, 13:00, 18:00 dhe 19:30.
Linja lidh qytetin e Shkodrës me Shirokën dhe Zogajn, ndërsa përgjatë itinerarit janë parashikuar disa ndalesa, mes tyre Shatërvani, Xhabije, Fund-Xhabije, Medreseja, Bexhisteni, Ura e Bunës, Ura e Re e Bunës dhe Shiroka.
Risia është se ky shërbim nuk do të kufizohet vetëm në periudhën e verës. Transporti publik drejt Shirokës dhe Zogajt do të vijojë edhe gjatë sezonit dimëror, duke krijuar një lidhje të qëndrueshme të këtyre zonave me qytetin gjatë gjithë vitit.
Nga 16 shtatori deri më 14 qershor do të aplikohet orari dimëror, me pesë nisje të përcaktuara në 06:00, 07:30, 11:00, 13:30 dhe 15:30.

Shtimi i frekuencës së transportit publik pritet të lehtësojë lëvizjen e banorëve, ndërsa gjatë sezonit turistik krijon më shumë alternativa edhe për vizitorët që zgjedhin zonën liqenore të Shirokës dhe Zogajt. Funksionimi i linjës në çdo stinë synon një lidhje më të mirë dhe më të rregullt të këtyre zonave me qytetin e Shkodrës.
