Vllaznia vijon lëvizjet në merkato dhe ka zyrtarizuar afrimin e Mamadou Tounkara, një tjetër përforcim për repartin ofensiv. Klubi kuqeblu ka prezantuar sulmuesin, duke bërë të ditur se ai është gati për të nisur aventurën e re me fanellën e Vllaznisë.
Afrimi i Tounkaras vjen në një moment kur drejtuesit kërkonin të shtonin alternativa dhe konkurrencën në repartin sulmues. Me Balajn dhe Perezin në grup, si dhe lojtarët e tjerë që mund të kontribuojnë në fazën ofensive, stafi tashmë do të ketë më shumë zgjedhje për ndërtimin e formacionit. Tounkara pritet të sjellë energji dhe konkurrencë, ndërsa mbetet për t’u parë se sa shpejt do të përshtatet me skuadrën dhe kërkesat e trajnerit Edi Martini.
Megjithatë, merkatoja e Vllaznisë nuk konsiderohet ende e mbyllur. Një tjetër repart ku situata mbetet për t’u përcaktuar është porta. Drejtuesit po vlerësojnë alternativat në dispozicion dhe nuk përjashtohet një tjetër ndërhyrje, nëse gjendet profili i përshtatshëm.
Synimi është që konkurrenca mes portierëve të jetë sa më e fortë dhe stafi teknik të ketë siguri në këtë pozicion delikat. Edhe pse pjesa më e madhe e organikës për sezonin e ri tashmë është ndërtuar, Vllaznia vijon të qëndrojë aktive në merkato, duke kërkuar futbollistë që mund të rrisin nivelin dhe konkurrencën brenda skuadrës.
