Vllaznia po jep sinjale pozitive në prag të nisjes së sezonit të ri të Kategorisë Superiore. Kuqeblutë kanë regjistruar fitoren e tretë radhazi në ndeshjet miqësore, duke mposhtur 2-0 Tërbunin në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës.

Skuadra e drejtuar nga Edi Martini po kërkon të konsolidohet përpara startit të kampionatit, ku në javën e parë, më 22 gusht, do të presë Skënderbeun në stadiumin “Loro Boriçi”. Rezultatet e fundit janë një sinjal pozitiv për shkodranët, që duket se kanë lënë pas eliminimin zhgënjyes në turin e parë të UEFA Conference League ndaj Malishevës.

Pas fitoreve 3-0 ndaj Laçit dhe 4-0 ndaj Burrelit, Vllaznia vijoi ecurinë pozitive edhe ndaj Tërbunit. Trajneri Martini e nisi takimin me Jukajn, Çelikoviç, Pusin, Dëumfour, Sokol Uldedajn, Mustën, Qaton, Dros, Kobiljar, Perez dhe Balajn.

Kuqeblutë zhvilluan një pjesë të parë të mirë dhe patën mundësinë të kalonin në avantazh në minutën e 45-të. Perez mori përsipër ekzekutimin e një penalltie, por goditja e tij u prit nga portieri i Tërbunit. Aktivizimi i Perez si ekzekutues, edhe pse në fushë ishte kapiteni Bekim Balaj, mund të shihet si një provë e stafit teknik për të shtuar alternativat nga pika e bardhë gjatë sezonit.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa pas pushimit Vllaznia u tregua më konkrete. Geralb Kubazi zhbllokoi rezultatin duke kaluar kuqeblutë në avantazh, ndërsa më pas Edon Murataj realizoi nga pika e penalltisë golin e dytë.

Takimi u mbyll 2-0 për Vllazninë, që regjistron kështu tri fitore radhazi në miqësore. Përtej rezultateve, këto ndeshje po i shërbejnë trajnerit Edi Martini për të konsoliduar grupin dhe për të provuar alternativa të ndryshme përpara nisjes së kampionatit.